Shtrirja gjeografike
English |
Deutsch
Gjuha shqipe flitet prej më shumë se gjashtë milionë njerëzish në jugperëndim
të Gadishullit Ballkanik, kryesisht në Republikën e Shqipërisë dhe në vendet
fqinjë të cilët përbënin pjesë të ish-federatës jugosllave (Kosovë, Maqedoni,
Mali i Zi dhe Serbi). Në Shqipëri, gjuha shqipe përdoret nga tërë popullata prej
3.087.159 banorëve (regjistrimi i prillit 2001), duke përfshirë edhe disa pakica
etnike dygjuhësore (grekë, romë, sllavë).
Në Kosovë, ku ende nuk ka statistika të sigurta, gjuha shqipe flitet nga
pothuajse tërë popullata prej rreth dy milionë banorëve, duke përfshirë disa
pakica dygjuhësore: boshnjakë, goranë, turq, kroatë, romë dhe ashkali. Në
kohën e Jugosllavisë, serbët etnikë të Kosovës (tani rreth pesë përqind të
popullsisë), në një masë të madhe, nuk mësonin ose flisnin shqip, por qëndrimi
i tyre mund të ndryshohet me zbutjen e emocioneve dhe problemeve etnike.
Llogaritet se në Republikën e Maqedonisë ka rreth një gjysëm milion
shqiptarë, dmth. rreth njëzetepesë përqind të popullsisë së përgjithshme,
megjithëse nuk ka statistika të sigurta. Popullsia shqiptare gjindet në Shkup
dhe rreth tij ku është pakicë, në Kumanovë, dhe në veçanti në Maqedoninë
perëndimore nga Tetova, Gostivari dhe Dibra deri në Strugë, ku është shumicë.
Në Malin e Zi gjindet një pakicë shqiptare prej rreth 50.000 personave,
kryesisht afër kufirit shqiptar (Ulqin, Tuz, Guci). Ka gjithashtu të paktën
70.000 deri 100.000 shqiptarë në jug të Serbisë, kryesisht në Luginën e
Preshevës afër kufijve të Maqedonisë dhe të Kosovës.
Në Greqi, ka ngulime të vjetra të dialektit çam në Epir (Pargë dhe Gumenicë).
Me gjithë luhatjet e kufirit dhe shpërnguljet për në Shqipëri, mund të ketë ende
deri 100.000 shqiptarë në këtë rajon, megjithëse janë të greqizuar në masë të
madhe. Në Greqinë qendrore, gjuha shqipe, e njohur këtu si arbërisht dhe në
greqisht si arvanitiká, mbijeton në rreth 320 fshatra, kryesisht në Viotía
(Boiotía), veçanërisht rreth Levadhiasë, në jug të ishullit Évia (Euboia), Atikë,
Korinth, dhe në veri të ishullit Andros. Këtu jetojnë pasardhësit e migrantëve
shqiptarë të cilët erdhën në Greqi në Mesjetën e vonshme. Nuk ka statistika të
sigurta për ata. Shqipja që flitet këtu është mjaft konservatore si dialekt.
Në jug të Italisë ka një pakicë të vogël por të qendrueshme shqipfolëse që
quhen arbëreshët. Ata janë pasardhësit e refugjatëve të cilët ikën nga Shqipëria
pas vdekjes së Skënderbeut në vitin 1468. Janë rreth 90,000 persona dhe
jetojnë kryesisht në fshatrat malore të Kosenzës në Kalabri dhe rreth Palermos
në Siçili. Arbëreshët flasin një variant mjaft arkaik të shqipes, i cili ndryshon
dukshëm nga shqipja që flitet në Ballkan, kështu që komunikimi me ata bëhet i
vështirë nëse arbëreshët nuk dinë gjuhën standarde.
Ngulime të vjetra shqiptarësh gjinden tek-tuk edhe në vendet e tjera të
Ballkanit: në fshatin Arbanasi në jug të Zarës në bregdetin kroat, në disa
fshatra të Sanxhakut dhe në krahinën kufitare mes Bullgarisë, Greqisë dhe
Turqisë, në mënyrë të veçantë në fshatin bullgar Mandrica. Ka edhe disa
fshatra shqiptare, kryesisht të asimiluara, në Ukrainë, në veçanti në krahinat e
Metropolit dhe të Odesës.
Nga kolonitë e dikurshme të shqiptarëve në Perandorinë Osmane ka mbetur
pak. Pakica shqiptare në Egjipt u shpërbë, por ka ende bashkësi të dukshme
shqiptarësh në Turqi (Stamboll, Bursa dhe gjetiu) dhe në Siri, kryesisht
Damask.
Që prej fundit të viteve 1980 në Kosovë dhe që prej hapjes së Shqipërisë në
vitet 1990-1991, shumë shqiptarë kanë emigruar në vende të tjera, kryesisht në
Greqi dhe në Itali. Sot ka shumë shqipfolës në Evropën perëndimore,
veçanërisht në Gjermani, Zvicër, Skandinavi dhe Londër, si dhe në Amerikën e
Veriut (Nju Jork, Boston, Detroit, Toronto).
Prejardhja dhe zhvillimi i gjuhës shqipe
Gjuha shqipe është anëtare e familjes gjuhësore indoevropiane dhe kështu
ka lidhje ‘fisnore’ me pothuajse tërë gjuhët e Evropës. Për karakterin
indoevropian të gjuhës shqipe u botua për herë të parë në vitin 1854 prej
gjuhëtarit gjerman Franc Bop (Franz Bopp, 1791-1867). Brenda familjes
indoevropriane shqipja përbën një degë me vete.
Me gjithë afërsinë gjeografike të Greqisë, shqipja e vjetër - nëse mund ta
quajmë kështu - duket se nuk ka patur kontakte të dendura me greqishten e
vjetër, por ngulimet romake në bregdetin ilir dhe përfshirja e Shqipërisë në
Perandorinë Romake, nga ana e tyre, kanë lënë gjurmë të thella në gjuhën
shqipe. Huazimet nga latinishtja për shumë shekuj kanë qenë kaq të shumta sa
që ndryshuan vetë strukturën e gjuhës shqipe. Kontaktet kulturore me sllavët
(bullgarët dhe serbët), turqit dhe italianët kanë lënë gjithashtu shtresime tepër
të dukshme fjalësh në gjuhën shqipe.
Jo vetëm në fjalor, por edhe në morfologji dhe në sintaksë, gjuha shqipe ka
shumë elemente të përbashkëta me gjuhë të tjera të Ballkanit dhe kjo për shkak
të ndikimit të mundshëm të gjuhëve të vjetra substrate (ilirishtja, trakishtja,
dakishtja) dhe si pasojë të shekujve të zhvillimit të përbashkët. Ndër këto
tipare janë: nyja shquese në fund të fjalës; mbaresa të njëjta për rasën gjinore
dhe dhanore; fjalëformimi i numrave 11-19 bazuar në teknikën “një mbi
dhjetë, dy mbi dhjetë” e kështu me radhë; mungesa e paskajores gramatikore;
dhe formimi i kohës së ardhme me foljen “dua”.
Nuk mund të vërtetojmë me siguri nëse gjuha shqipe është pasardhëse e gjuhës
ilire sepse nuk disponojmë shumë të dhëna të shkruara ilirisht. Megjithatë, sot
pranohet gjerësisht teoria e prejardhjes ilire.
Përshkrim i shqipes së sotme
Gjuha shqipe ndahet në dy njësi dialektore: gegërisht në veri dhe toskërisht në
jug. Vija ndarëse midis të dy dialekteve ndodhet afërsisht në lumin Shkumbin
në Shqipërinë qendrore. Këtu në një zonë me një gjerësi prej dhjetë deri njëzet
kilometrash ka dialekte kalimtare. Ndër tiparet e dialektit geg janë: prania e
zanoreve hundore, ruajtja e bashkëtingullores më të vjetër n për r në toskërisht
- p.sh., gegërisht venë (latinisht vinum), toskërisht verë; gegërisht Shqypnia,
toskërisht Shqipëria - si dhe disa tipare morfologjike. Gegërishtja mund të
ndahet më tej në disa nëndialekte: gegërishten veriperëndimore (Shkodër dhe
përreth), gegërishten verilindore (Shqipëria verilindore dhe Kosovë),
gegërishten qendrore (zona midis lumenjve Ishëm dhe Mat dhe në drejtim të
lindjes Maqedonia, duke përfshirë Dibrën dhe Tetovën), dhe gegërishten
jugore (Durrës, Tiranë).
Në vijat e përgjithshme, toskërishtja është më homogjene, megjithëse mund të
flitet për disa ndarje: toskërishten veriore (nga Fieri në Vlorë dhe pjesa më e
madhe e Shqipërisë së jugut në veri të Vjosës), variantin lab (në jug të Vjosës
deri në Sarandë) dhe variantin çam (cepi jugor i Shqipërisë dhe Epiri grek).
Gjuha e sotme letare, e përkufizuar në Kongresin pë Drejtshkrimin në Tiranë
më 20-25 nëntor 1972, bashkon të dy dialektet kryesore, por bazohet kryesisht
mbi variantin tosk. Ajo pranohet gjerësisht në Shqipëri dhe gjetiu si standard,
megjithëse ekziston një lëvizje koha e fundit për të rivlerësuar gegërishten
letrare.
Në strukturën e saj, gjuha shqipe është një gjuhë sintetike si të gjitha gjuhët e
tjera indoevropiane. Emrat kanë gjini, numër, rasë dhe gjithashtu mund të jenë
në trajtë të shquar dhe të pashquar. Pjesa më e madhe e emrave janë në gjininë
mashkullore ose femërore, megjithëse ekzistojnë edhe pak raste të emrave
asnjanëse të cilët aktualisht po përdoren gjithnjë e më shumë si emra
mashkullore në njëjës dhe femërore në shumës. Në lidhje me numrin, shumica
e emrave janë në njëjës ose në shumës, po ashtu si edhe në gjuhët e tjera
evropiane. Ekzistojnë afërsisht 100 formime të shumësit, përfshirë
prapashtesat, “umlaut-i”, ndryshime bashkëtingëlloresh dhe kombinime.
Gjuha shqipe ka pesë rasa: emërore, gjinore, dhanore, kallëzore dhe rrjedhore.
Mbaresat e gjinores dhe dhanores janë gjithmonë të njëjta. Rasat gjinore lidhen
me emrat e përcaktuara nëpërmjet një sërë lidhëzash i, e, të, së, të cilat shpesh
reflektojnë mbaresën e emrit që paraprin psh. “bulevardi i qytetit”, “bukuria e
bulevardit të qytetit”. Trajta e shquar dhe e pashquar përcaktohen prej
nyjës/mbaresës shquese ose mungesës së saj në fund të emrit. Pra lakimi i
emrave karakterizohet nga mbaresat e shquara dhe të pashquara. Mbiemrat
vijnë menjëherë pas emrave ose kanë përpara një lidhëz psh “djali nervoz”,
“djali i vogël”.
Foljet në shqip karakterizohen prej tri vetave, dy numrave, dhjetë kohëve, dy
trajtave dhe gjashtë mënyrave. E pazakontë është mënyra habitore e cila
përdoret për shprehjen e habisë/befasisë së folësit.
Robert Elsie